|
Rushit Ramabaja |
SHQIPËRI
Zonja Mëmë e perëndive, Shqipëri
Të mëgjunjem për qumështin e gjirit
Për mëkimin e brezave që nga Ilioni
Për Dardanin që rriti zemrën në dashurinë tënde
Kur stërgjyshja Elektra bënte dritë në qiell
Mbolle në ne ylberin me rrënjë parajsore
Emrin tënd prej shprese huazove nga Zojsi
Pastaj ia bëre blatë Ezmerinës sime
Mëma jonë me hire, Shqipëri
Çove Lekën e Madh të pushtonte botën
E t’i vinte breroren tënde prej dielli
Zdorgje Kleopatrën në përrallën e Nilit
T’u krijonte kohëve Hënën e Dashurisë
Ringjalle Jezusin e varrosur
Në zemrën përvëllimë të Madalenës
Mëma jonë me trille, Shqipëri
Nganjëherë vetën hëngre
Nganjëherë të shprishën të egrit mëtues
Qyshdo që të jesh ne të duam
Nga një pranverë në lulen e marsit tjetër
Se ti varrose në pëqi krejt hyjneshat
Për të zënë vetë fronin e Kryezonjës
Dhe njëlloj mbetëm ne, bijtë e tu
Herë Solomonë të urtisë si zotat
Herë fëmijë të prapë që vrasin zogjtë
Mëma jonë fatpadalë
Mëma jonë e yllimshme
Shqipëri
|
Anton Marku |
SHQIPËRI
Me mijëra vite detet të lagin brigjet
Ti shqip flet e tokën mbushë frymë.
Rrënjët ngulitur thellë në shkrepa bjeshkësh
Histori betejash të lashta sa vet jeta.
Stuhitë e jugut të rrokullisën gurët
Uraganë veriu të erdhën gjer tek pragu
Nga niset mëngjesi të zbarkuan kalorësit e hënës
Dielli të ngrohu rrallë-andej nga vijnë valët.
Një shekull mbështjellur me flamur Margone
Në gjysmërrugë me amanete brezash në gjoks.
Mos hiq dorë nga ëndrra që peng mbeti
Miliona plisa kanë drejtuar sytë në ty
Bëhu një. Rritu-Shqipëri.
|
Besim Xhelili |
SHQIPËRIA IME
E copëtuar, e shtypur, e shkelur
E pamposhtur ndër shekuj të errët,
Besa shqiptare ta ruajti krenarinë
Shqipëria ime...
Ti nuk ke pështyrë në historinë tënde
Dhurove gjak për të qëndruar në këmbë,
Nënat shqiptare nuk u shuajtën
Shqipëria ime…
Sot je e lirë ndër popuj të lirë
100 vjet i ke mbushë, qofsh e bekuar
Populli shqiptar bashkë do të qëndrojë
Në Europën e bashkuar
Shqipëria ime...
Ardhsh i mbarë!
Poemë për 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë
Ardhsh i mbarë, nëntor
Pa vellon e barotit në nusebjeshkët me hone!
Ardhsh i mbarë
Si kënga për nipërit që kurrë s’e humb farën e grurit.
Në cohëskuqjen e bajrakut
Me një tufë me tinguj të ribëjmë palë kurore
Shtrënguar mes pëllëmbës
Si besën më të re që burri ia jep burrit.
Për pengjet e vjetër
Të mos ngrejmë murrana si gurë të harruar
Të thërrasim në sofër
Një valë Preveze a një fjongo Ibri larg, në Mitrovicë
Aty ishim,
Me gazin që na jep kjo ditë flamurtare
Aty do të jemi,
edhe kur ëndrrat krahët mund të na i helmojnë gjarpërinjtë
Shkronjat radhitëm
Në radhuan fletëvjetër të ardhur nga Evropa
Zemrat
I bëmë lahuta, saze dhe në supe shtrëngonin tupanin
Diku
Flamuri na gazmonte hapat tek hapnim dyert ndër oda
Diku
Na dhimbnin sepetet që plumbat sërish donin të na e kallnin.
Diku, në Prizren
Do takojmë Abdylin urtak dhe Bacë Ymerin trim
Një valë Lumëbardhi
Do të vëmë te varret e Jasharjve ku lozin vetëtimat
Në koburen e Isës
Martina është gati të marrë plumbin e shkrirë
E kënga
Të bëhet shportë me luletinguj për çikat e trimat.
Kam bash një shekull
Që kam mbjellë fidanë lirie në ditët e errta
Në kokrrimin e drurit
Besova se pranvera e ardhshme më e begatë do të vinte
Shkronjat i gdhenda
Herë në faqet e shkëmbit e herë në kondakët e pushkëve grykënxehta
E zilet shkollore
më zgjuan fjalët e nderimit për plagët e freskëta të martirëve
Ardhsh i mbarë
Hipur mbi kalin e baladës me zgjim historie
Me fytyrë të skuqur
Për Hiroshimën që kemi ndezur shpesh për veten.
Në kacavirrjet drejt direkëve
Zgjuam shekujt me këngë kurbeti mes klithme
Në tinguj këmbanash
Morën frymën e re për të prekur orët e ditënetëve.
Mos më kërkoni
Të numëroj në muret e shpuar të Kullës së Jasharjve, te Drenica
Bacaloku
Fort po druhet të tregojë plumbin e mbetur kaherë ndër gjunjë
Në pragun e plaguar
Po i harrokam ninullat e më zgjohet vrikshëm dhimbja
E këngët për trimat
Më rizgjohen si dritë mëngjesi në lodra, a në fjalën e urtë.
Ardhsh i mbarë, nëntor
Me amanete të zgjuara nga Preveza e Gumenica dritëbehari
Ku ullinjtë e jetimtë
Lexojnë me kod zemrash abetaren mbrujtur me brumë lirie
Eh, Çamëria ime
Me varre të paemër, me oxhakë pa thëngjinj zjarri
Ndaj falmë
Që dot nuk po ta puthim barin e harlisur ndër brigje
Falna
Që djepet e fëmijëve i lamë të fshehur mes gërmadhave
E vallen e Osman Takës
S’e hedhim dot në Arpicë a në Shesh të Paramithisë.
Çerdhja e gjoksit
Ende pikon në strehën e mallit të baballarëve
E vajzat
Po hedhin një valle fluturore mbi trëndafilë
Bëna dasmorë
Me shamitë kaltërore, me gjethe dafine mbi buzë.
Në Festën e Bashkimit
Ta vëmë mendueshëm ballin te Muri i Gjakut
Na vër mes farkëtarësh
Të një farke ku hekuri rrihet në furrë
Lavdia
Të na skuqë e të na e bëjë hapin e udhës më të matur.
Ardhsh i mbarë
Bëna Kryekrushk të një dasme që veç uron mes sofrës.
E bririn
Na e jep në buzë t’ua japim brezave në agun me rreze
Të bashkosh
Qiejt e zemrave, pëllëmbët e burrit e gazin e foshnjës
Të na bashkosh
Trokëllimat e kuajve si karvanarë të shekujve.
|
Vasil Tabaku |
SHQIPERIA IME
Zemrën
Mbaj në dorë
Veshur
me puthjet plotë dritë
Dhe qiellin e lart
Ber prej ëndërrave të tua
Shqipëriia ime…
Rend
Përms shpresave të ndezura
Nëpër shpirtin e bukur
dhe rrebel
Ku shpresat
Mbjelle si pemë
Çelin lulet
Dhe zgjasin përqafimet
Nga deget e brishta
Ku unë përherë
Jam ndjerë yti…
Unë biri
dhe bija
Ati
dhe nëna
Unë madhështori
Dhe I fuqishmi...
Unë zëri yt
Thirrja jote
Kënga e bukur e dashurisë
Dhe britma e rrevoltës
Zëri I fiteorës
Gjaku i luftrave
Me diejt
Brenda kraharorit
Dhe brohorimen magjike
Të yjeve…
Shqipëria ime
Fisnikja ime
E mira ime
Dashuria dhe dhimbja ime
Puthja prej zjarri
Malli prej nëne..
Enderra prej fëmije
Dhe perqafimi prej grujeje
Shqipëria ime,
Dheu im shekullor
Guret e thinjur
Rrugët plot jetë
Jetojnë brenda meje
Marrin dritë
dhe forcë
Behen e sotmja
Dhe e nesërmja…
Buzeqesha prej hënë
Dhe krahet e përqafimit
Hapur madhështor
Si një horizont…
Shqipëria ime…
E dua rendjen tënde
Nëpër shekujt e përgjakur
Plaget e tua,
burrat e mdhenjë
njerzor dhe heronjë
jeten e tyre
ta bënë dhuratë
ndërsa shkonin
krahpër krah me vdekjen
të matroheshin me Lirinë…
Shqipëria ime,
Dashuria dhe drita ime
Zemra dhe ëndërra ime
Nder duar,
Kam plaget e qindra viteve
Një gjerdan trimërie
Qëndisur me të kuqe…
Shqipëria ime…
Me flamurin
Bërë
prej buzeqeshjes sonë
Rend nëpër shekuj
Kalorse e lirisë
Përmes qiejve
Mbi rrufetë dhe vetetimat
Mbi të gjithë zjarret e yjeve
Me një diell të madh
Mbi supet e brishte…
Se une pa ty
Shqipëria ime
Nuk jam ky që jam
Se ne pa ty
Shqipëria jonë
Nuk mund të jemi
kurrë shqiptarë …
Se ne me ty
Shqipëria ime
Përjetësisht
Fitojmë mbi shekuj
Dhe njëqindvjeçarë…
SHQIPËRI NËNË PERËNDISH
Shi dhe përsëri shi
Qiejt
Derdhen
Mbi ty SHQIPËRI
e përmbytur,
e braktisur,
e lënë në mëshirë
në vetmi
me dhimbjen tënde prej nëne,
për bijtë që vuajnë…
Rënkonë,Shqipëria ime
dhëmb dhe hesht,
Hesht Shqipëri
përpar trishtimit
nën pikat e ftohta të shiut
dhe shëndrrohesh e tëra
në një britmë ...
Ta dëgjoj rënkimin Nënë
ndjej drithërimat e tua prej gruaje
me duart e rreshkura
zgjatur pa shpresë
drejt qiejëve
bijtë e tu moj NËNË
janë endur rrugëve të Botës
si një dhimbje që derdhet
e lumëshme
me dallgë trishtimi…
ta dëgjoj zërin
drithërimat e tua
kapur nëpër retë e përlotura
ku qiejt
humbasin shpresën
nën dritën e klithmave
Të ndjej Shqipëri
Brenda meje
Si një det gjaku dhe zjarri
Jam yti
Edhe I vdekur
Biri yt
Rrugëvë tragjike të mërgimit
Ku drama jonë
Nuk paska asnjëherë fund…
Jam yti Shqipëri…
Je imja moj NËNË PERËNDISH.
|
Rrahim Sadiku |
Liri Shqipërie
Eni në valle,
ashtu me vrull,
ashtu mengadale,
në këtë rrjedhë hareje,
në ngjarje të madhe:
po feston Atdheu,
Festën e Pavarësisë,
ne po e gëzojmë
rritën e Lirisë,
e kemi fat,
për ne është nder,
ndodhi në vjeshtë,
na solli pranverë…
Kjo ngjarje e madhe
për ne ka një emër,
Liri Shqipërie
dhe e duam shumë,
po, e kemi Zemër!