Sonntag, 30. Dezember 2012

Rushit Ramabaja: SHQIPËRI

Rushit Ramabaja

SHQIPËRI

Zonja Mëmë e perëndive, Shqipëri
Të mëgjunjem për qumështin e gjirit
Për mëkimin e brezave që nga Ilioni
Për Dardanin që rriti zemrën në dashurinë tënde

Kur stërgjyshja Elektra bënte dritë në qiell
Mbolle në ne ylberin me rrënjë parajsore
Emrin tënd prej shprese huazove nga Zojsi
Pastaj ia bëre blatë Ezmerinës sime

Mëma jonë me hire, Shqipëri
Çove Lekën e Madh të pushtonte botën
E t’i vinte breroren tënde prej dielli
Zdorgje Kleopatrën në përrallën e Nilit
T’u krijonte kohëve Hënën e Dashurisë
Ringjalle Jezusin e varrosur
Në zemrën përvëllimë të Madalenës

Mëma jonë me trille, Shqipëri
Nganjëherë vetën hëngre
Nganjëherë të shprishën të egrit mëtues
Qyshdo që të jesh ne të duam
Nga një pranverë në lulen e marsit tjetër
Se ti varrose në pëqi krejt hyjneshat
Për të zënë vetë fronin e Kryezonjës
Dhe njëlloj mbetëm ne, bijtë e tu
Herë Solomonë të urtisë si zotat
Herë fëmijë të prapë që vrasin zogjtë

Mëma jonë fatpadalë
Mëma jonë e yllimshme
Shqipëri

Freitag, 14. Dezember 2012

Anton Marku: SHQIPËRI

Anton Marku

SHQIPËRI

Me mijëra vite detet të lagin brigjet
Ti shqip flet e tokën mbushë frymë.

Rrënjët ngulitur thellë në shkrepa bjeshkësh
Histori betejash të lashta sa vet jeta.

Stuhitë e jugut të rrokullisën gurët
Uraganë veriu të erdhën gjer tek pragu
Nga niset mëngjesi të zbarkuan kalorësit e hënës
Dielli të ngrohu rrallë-andej nga vijnë valët.

Një shekull mbështjellur me flamur Margone
Në gjysmërrugë me amanete brezash në gjoks.

Mos hiq dorë nga ëndrra që peng mbeti
Miliona plisa kanë drejtuar sytë në ty

Bëhu një. Rritu-Shqipëri.

Besim Xhelili: SHQIPËRIA IME

Besim Xhelili

SHQIPËRIA IME

E copëtuar, e shtypur, e shkelur
E pamposhtur ndër shekuj të errët,
Besa shqiptare ta ruajti krenarinë
Shqipëria ime...

Ti nuk ke pështyrë në historinë tënde
Dhurove gjak për të qëndruar në këmbë,
Nënat shqiptare nuk u shuajtën
Shqipëria ime…

Sot je e lirë ndër popuj të lirë
100 vjet i ke mbushë, qofsh e bekuar
Populli shqiptar bashkë do të qëndrojë
Në Europën e bashkuar
Shqipëria ime...