SHQIPËRI Zonja Mëmë e perëndive, Shqipëri Të mëgjunjem për qumështin e gjirit Për mëkimin e brezave që nga Ilioni Për Dardanin që rriti zemrën në dashurinë tënde Kur stërgjyshja Elektra bënte dritë në qiell Mbolle në ne ylberin me rrënjë parajsore Emrin tënd prej shprese huazove nga Zojsi Pastaj ia bëre blatë Ezmerinës sime Mëma jonë me hire, Shqipëri Çove Lekën e Madh të pushtonte botën E t’i vinte breroren tënde prej dielli Zdorgje Kleopatrën në përrallën e Nilit T’u krijonte kohëve Hënën e Dashurisë Ringjalle Jezusin e varrosur Në zemrën përvëllimë të Madalenës Mëma jonë me trille, Shqipëri Nganjëherë vetën hëngre Nganjëherë të shprishën të egrit mëtues Qyshdo që të jesh ne të duam Nga një pranverë në lulen e marsit tjetër Se ti varrose në pëqi krejt hyjneshat Për të zënë vetë fronin e Kryezonjës Dhe njëlloj mbetëm ne, bijtë e tu Herë Solomonë të urtisë si zotat Herë fëmijë të prapë që vrasin zogjtë Mëma jonë fatpadalë Mëma jonë e yllimshme Shqipëri
SHQIPËRI Me mijëra vite detet të lagin brigjet Ti shqip flet e tokën mbushë frymë. Rrënjët ngulitur thellë në shkrepa bjeshkësh Histori betejash të lashta sa vet jeta. Stuhitë e jugut të rrokullisën gurët Uraganë veriu të erdhën gjer tek pragu Nga niset mëngjesi të zbarkuan kalorësit e hënës Dielli të ngrohu rrallë-andej nga vijnë valët. Një shekull mbështjellur me flamur Margone Në gjysmërrugë me amanete brezash në gjoks. Mos hiq dorë nga ëndrra që peng mbeti Miliona plisa kanë drejtuar sytë në ty Bëhu një. Rritu-Shqipëri.
SHQIPËRIA IME E copëtuar, e shtypur, e shkelur E pamposhtur ndër shekuj të errët, Besa shqiptare ta ruajti krenarinë Shqipëria ime... Ti nuk ke pështyrë në historinë tënde Dhurove gjak për të qëndruar në këmbë, Nënat shqiptare nuk u shuajtën Shqipëria ime… Sot je e lirë ndër popuj të lirë 100 vjet i ke mbushë, qofsh e bekuar Populli shqiptar bashkë do të qëndrojë Në Europën e bashkuar Shqipëria ime...