Rushit Ramabaja |
SHQIPËRI
Zonja Mëmë e perëndive, Shqipëri
Të mëgjunjem për qumështin e gjirit
Për mëkimin e brezave që nga Ilioni
Për Dardanin që rriti zemrën në dashurinë tënde
Kur stërgjyshja Elektra bënte dritë në qiell
Mbolle në ne ylberin me rrënjë parajsore
Emrin tënd prej shprese huazove nga Zojsi
Pastaj ia bëre blatë Ezmerinës sime
Mëma jonë me hire, Shqipëri
Çove Lekën e Madh të pushtonte botën
E t’i vinte breroren tënde prej dielli
Zdorgje Kleopatrën në përrallën e Nilit
T’u krijonte kohëve Hënën e Dashurisë
Ringjalle Jezusin e varrosur
Në zemrën përvëllimë të Madalenës
Mëma jonë me trille, Shqipëri
Nganjëherë vetën hëngre
Nganjëherë të shprishën të egrit mëtues
Qyshdo që të jesh ne të duam
Nga një pranverë në lulen e marsit tjetër
Se ti varrose në pëqi krejt hyjneshat
Për të zënë vetë fronin e Kryezonjës
Dhe njëlloj mbetëm ne, bijtë e tu
Herë Solomonë të urtisë si zotat
Herë fëmijë të prapë që vrasin zogjtë
Mëma jonë fatpadalë
Mëma jonë e yllimshme
Shqipëri
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen