Donnerstag, 23. Juni 2011

Mihallaq Qilleri: SHQIPËRIA

Mihallaq Qilleri

SHQIPËRIA
 
Çati e vjetër hedhur dimërash prehistorikë
Furtunash shkulur në ditët ku lehonat lindnin
Krijesa prej guri, fushave të përmbytura,
Maleve të çveshur urivuajtur,
Nën troke kuajsh barbarë, romakë, osmanë, sllavë,
Që përçudnin gjakun e mermertë dhe iknin.
 
Mbi oborrin e ngushtë të shtëpisë,
Kasolle vëllezërish prej hasmi ngriheshin
Një patkua kali mbi portën bregdetare
Fatin trëmbte përditë e më pak nga dallgët,
Vellezër armiq me shumicë prodhonin vreshtat
Ullinjtë mërmërisnin trishtueshëm
Mbi një tokë të mjerë gjethetharë, e palarë.
 
Vështrimet ktheheshin si fenerë anijesh pragmbytjeve
Nga Lindja, Perëndimi, nga Azia vesëverdhë
Luftrat lumenjtë e gjakut shtonin,
Më shumë mesvedi sesa me armiqtë e mallkuar.
Hasmëri të çuditshme gjaktrazuar,
Pushtete, ide pa formë, reprezalje drithëruese,
Në hartën e ngushtë si një zanë belkëputur,
Shqipëria ime, Shqipëria jote,
Vështrimin e ankthëm end horizonteve
Pak shpresë në këmbë për t’u ngritur,
Si fëmijë shtatanik në pluhur zvarritet.
 
Çati e hedhur dimrave prehistorikë,
Armiqësisht lëkundet ende me thirrjen nën dhambë,
O, kuku, moj nanë!

Mittwoch, 27. April 2011

Kujtim Stojku: SA HERË PËR TY KAM SHKRUAR


SA HERË PËR TY KAM SHKRUAR

Sa here kam marrë penën për t’shkruar për ty Shqipëri
Fjalët i kam shkruar si gjaku që m’rrjedh n’deje me gjith zemër
Derisa zemra t’më rrahë s’do t’pushoj, do shkruaj përsëri
Sepse ti për mua je e shenjta me më të bukurin emër.

Unë prej teje nuk ndahem dot se je n’brendësi të shpirtit tim
Gëzimet dhe hidhërimet bashkë i kemi ndarë
Dhe kur fati pas na ka ndjekur në çdo trazim
Unë e tij jemi një qenie një trup i pa ndarë.

Deri n’këtë çast jeta ka rrjedhur pa u vënë re
Dhe unë ty t’besoj si i marrë pa më të voglin dyshim
Prej thellësisë tënde dëgjoj zërin që m’thërret me mall
Me fjalë të ëmbla t’magjishme, si je o biri im.

Dhe këto fjalë t’përmallshme s’më lënë t’harroj asnjëherë
Ngado që shkoj nga pas gjithmonë më ndjekin
Derisa zemra t’më pushojë e sytë të mbyll përherë
Si biri yt siç linda me dheun tënd do jem përzjerë.

Me këtë dhe që më ka përkundur e tash jam burr i pjekur
Ashtu siç ke përkundur mbretër, burra shteti, poetë e luftëtar
Që nga krijimi gjiri yt jo të gjitha i ka pritur
Ka nxjerr’jasht t’pabesët, tradhëtarë dhe zagarë…