Seiten
▼
Samstag, 3. November 2012
Nanik Selmani: Ardhsh i mbarë!
Ardhsh i mbarë!
Poemë për 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë
Ardhsh i mbarë, nëntor
Pa vellon e barotit në nusebjeshkët me hone!
Ardhsh i mbarë
Si kënga për nipërit që kurrë s’e humb farën e grurit.
Në cohëskuqjen e bajrakut
Me një tufë me tinguj të ribëjmë palë kurore
Shtrënguar mes pëllëmbës
Si besën më të re që burri ia jep burrit.
Për pengjet e vjetër
Të mos ngrejmë murrana si gurë të harruar
Të thërrasim në sofër
Një valë Preveze a një fjongo Ibri larg, në Mitrovicë
Aty ishim,
Me gazin që na jep kjo ditë flamurtare
Aty do të jemi,
edhe kur ëndrrat krahët mund të na i helmojnë gjarpërinjtë
Shkronjat radhitëm
Në radhuan fletëvjetër të ardhur nga Evropa
Zemrat
I bëmë lahuta, saze dhe në supe shtrëngonin tupanin
Diku
Flamuri na gazmonte hapat tek hapnim dyert ndër oda
Diku
Na dhimbnin sepetet që plumbat sërish donin të na e kallnin.
Diku, në Prizren
Do takojmë Abdylin urtak dhe Bacë Ymerin trim
Një valë Lumëbardhi
Do të vëmë te varret e Jasharjve ku lozin vetëtimat
Në koburen e Isës
Martina është gati të marrë plumbin e shkrirë
E kënga
Të bëhet shportë me luletinguj për çikat e trimat.
Kam bash një shekull
Që kam mbjellë fidanë lirie në ditët e errta
Në kokrrimin e drurit
Besova se pranvera e ardhshme më e begatë do të vinte
Shkronjat i gdhenda
Herë në faqet e shkëmbit e herë në kondakët e pushkëve grykënxehta
E zilet shkollore
më zgjuan fjalët e nderimit për plagët e freskëta të martirëve
Ardhsh i mbarë
Hipur mbi kalin e baladës me zgjim historie
Me fytyrë të skuqur
Për Hiroshimën që kemi ndezur shpesh për veten.
Në kacavirrjet drejt direkëve
Zgjuam shekujt me këngë kurbeti mes klithme
Në tinguj këmbanash
Morën frymën e re për të prekur orët e ditënetëve.
Mos më kërkoni
Të numëroj në muret e shpuar të Kullës së Jasharjve, te Drenica
Bacaloku
Fort po druhet të tregojë plumbin e mbetur kaherë ndër gjunjë
Në pragun e plaguar
Po i harrokam ninullat e më zgjohet vrikshëm dhimbja
E këngët për trimat
Më rizgjohen si dritë mëngjesi në lodra, a në fjalën e urtë.
Ardhsh i mbarë, nëntor
Me amanete të zgjuara nga Preveza e Gumenica dritëbehari
Ku ullinjtë e jetimtë
Lexojnë me kod zemrash abetaren mbrujtur me brumë lirie
Eh, Çamëria ime
Me varre të paemër, me oxhakë pa thëngjinj zjarri
Ndaj falmë
Që dot nuk po ta puthim barin e harlisur ndër brigje
Falna
Që djepet e fëmijëve i lamë të fshehur mes gërmadhave
E vallen e Osman Takës
S’e hedhim dot në Arpicë a në Shesh të Paramithisë.
Çerdhja e gjoksit
Ende pikon në strehën e mallit të baballarëve
E vajzat
Po hedhin një valle fluturore mbi trëndafilë
Bëna dasmorë
Me shamitë kaltërore, me gjethe dafine mbi buzë.
Në Festën e Bashkimit
Ta vëmë mendueshëm ballin te Muri i Gjakut
Na vër mes farkëtarësh
Të një farke ku hekuri rrihet në furrë
Lavdia
Të na skuqë e të na e bëjë hapin e udhës më të matur.
Ardhsh i mbarë
Bëna Kryekrushk të një dasme që veç uron mes sofrës.
E bririn
Na e jep në buzë t’ua japim brezave në agun me rreze
Të bashkosh
Qiejt e zemrave, pëllëmbët e burrit e gazin e foshnjës
Të na bashkosh
Trokëllimat e kuajve si karvanarë të shekujve.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen