Seiten

Donnerstag, 28. November 2019

Fehmi Ajvazi: SHQIPËRI

Fehmi Ajvazi

SHQIPËRI

Nuk të thash kurrë njerkë as s'të bëra hire,
sykaltër - lulezemër Shqipëri
Një yllnajë në qiell plotë dritë edeni,
Pa ty s'di kush do isha tani...

S'do rritesha as s'do plakesha nga hija e mjegulles,
Po t'mos ishti ti e shtrejta ime - mall,
Të ndjeva gjithmonë në vend të nanës,
Nanë të kam thanë qysh se nanën time di...

Nuk të mora kurrë inat dhe as mëri,
As në andërr kur s'hiqej mjegulla dhe as kur këndonte njaj zog i zi,
Nuk di kush do isha sot e shtrenja ime,
Në qiell çfarë do shihja: pa ty Shqipëri ?

Nuk të kam stisur mes gishtave as s'të kam mallkuar,
Në dhimbje e në mort, mes terreve pa shteg e pa dritë,
Dita jote ka qenë gjithmonë dita ime,
Nata jote ka qenë plaga në sytë e mi.

Malet lëkunden e tunden, shkunden dhe zemrat,
E mund të digjesh dhe ti si qiri - mbi gur e mbi det,
Në qofsha unë gjysma e gjysmës tande,
Nanë do mbetesh për mua deri sa të vdes.

Pra: shkundu dhe ti e shalo dhimbjet, gurët e detin,
Mbaje kryet lartë si Tomorri n'pranverë,
Jemi shumë që pa ty - s'di kush do ishim,
Mbaj të fortë gjithmonë - mbaj - f'mijtë e tu...

28. 11. 2019

Emin Z. Emini: SHQIPËRI

Emin Z. Emini

SHQIPËRI

gjithmonë dua të ndërtoj një pallat
një
më të mirin më të bukurin
më të fortin më të lartin
më madhështorin
atë me çehre kryezoti

një
me vello të bardhë me buzë të kuqe me gjak të kaltër
me nëntë ngjyra
me mijëra ngjyra
me fytyrë nuseje

një
të pavdekshëm të përjetshëm pallat pentagrami
me nota porfiri
me mallin për të bukurën moré

një
që edhe të përndritshmit qumshtorit përrallorit taj mahal
e gjithë tajmahal’ve hije t’iu bëjë
në të gjitha stinët

e lodra të braktisura kalamajsh keopsët të duken

*
sado që provoj gjithçmos
pa të keqen e kujt
sakaq
në ditën për diell në natën për hënë
një mallkim
i tejkohshëm i gjithëkohshëm
i jashtëkohshëm i pakohshëm i askohshëm
të ëndërrtin pallat e shndërron në një flluskë të vdekshme
e rrënon e zhbën
e bën
të njëjtë si ata
me emrat e zakonshëm të huaj të largët të mërzitshëm
që vjinë nga shtatë mrekullitë e mjegullta
nga shtatë mijë a shtatdhjetë mijë çudirat e botës së akulltë e të zjarrtë
që nëpër horizontet e kujtesës
pafajësisht lodrojnë të bukur e të trishtë
të vdekshëm e të gjallë

të tillë e bën pra
të heshtur të humbur të sedërt
egoist tallës lëvdaç
të njëjtë e të ndryshëm njëkohshëm
frymëzues e fatal
robërues e paqësor
hiçgjë me një fjalë
siç edhe bie fjala janë
pagoda e porcelanit panteoni petra
machu picchu chichen itza stonehenge
a statuja e zeusit në olimp
hajnisht rimodeluar në iceland liberty
me gjuhë humane pagëzuar statue of liberty
që qëndron krenarisht në mbrojtje të demokracisë së premtuar
apo libertaset romake dhe statujat e tjera
të lirisë të perëndeshave të paliri
apo katakombet e aleksandrisë
a koleseu i rodit a kulla e robit
apo kulla e farit që botën ndriçonte
po jo edhe shpirtin e njeriut
apo edhe shumë e shumë përralla të tilla të tjera
që gjenden e janë në etcetera et cet·er·a et ˈsedərə

*
dua
me shkronja lulesh të egra të ndërtoj
një pallat me oxhak
me epitaf dielli mbi portë
në kujtim të atyre egershanëve
që i derdhen curril shkronjat e emrave të përveçëm
atyre gacave që nuk i njohu as kënga as gjëma
atyre
të dashuruarve të atdheut

*
dua prandaj jetoj